Kuvendi i Kosovës nis të martën, një seancë të jashtëzakonshme mbi ndalimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, në Francë mbi bazën e një urdhërarresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.

Seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga partia e Haradinaj, pason një varg reagimesh të autoriteteve dhe zyrtarëve politikë në vend që e kanë cilësuar ndalimin e ish-kryeministrit si të “papranueshme dhe të pakuptueshme”.

Seanca mbahet vetëm pak ditë përpara se një Gjykatë franceze, të shqyrtojë kërkesën e palës mbrojtëse të Haradinaj për lirimin e tij, me paraqitjen e një numri provash, siç thonë avokatët e tij, që “e mundësojnë lirimin e menjëhershëm”.

Ramush Haradinaj u ndalua në aeroportin e Bazelit të mërkurën e kaluar dhe autoritetet e drejtësisë franceze i shqiptuan masën e paraburgimit deri në, sic thuhet, “paraqitjen e kërkesës zyrtare për ekstradim nga autoritetet e Serbisë”.

Ministria e Jashtme Franceze tha se procedurat që po zhvillohen ndaj Ramush Haradinajt janë çështje ligjore, të nisura mbi bazën e kërkesës së Interpolit” dhe përjashtoi mundësinë që “veprimi ligjor ndaj Ramush Haradinajt të ketë ka dimensione politike”.

Ramush Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni në bazë të urdhërarrestit të policisë së Serbisë të vitit 2004 dhe qe mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë.

Në vitin 2012, u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte nga një Gjykatë Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish Jugosllavi. Rigjykimi në vitin 2012, u bë katër vjet pas një vendimi të së njëjtës Gjykatë e cila më 2008 e nxori të pafajshëm nga të gjitha akuzat që e ngarkonin për shkelje të ligjeve të luftës./ tvklan.al