Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka mbërritur në Korenë e Veriut për t’u përgatitur për bisedimet historike mes udhëheqësit Kim Jong Un dhe Presidentit amerikan Donald Trump.

Vizita e befasishme e Sekretarit Amerikan të Shtetit në Korenë e Veriut vjen në një kohë kur po diskutohet për lirimin e mundshëm të tre të burgosurve amerikanë. Ky është udhëtimi i dytë i Mike Pompeo në shtetin komunist brenda një harku të shkurtër kohor.

Pompeo tha se nga takimi në muajin Prill u krijua një marrëdhënie e mirë, që shënoi edhe nivelin më të lartë të kontaktit SHBA-Kore e Veriut që prej vitit 2000. Përpara se të nisej drejt Koresë, Pompeo tha se shpreson që vendi të bëjë gjënë e duhur dhe të lirojë tre amerikanët e burgosur. Një zyrtar nga Presidencë e Koresë së Jugut deklaroi se shteti komunist pritet të lirojë qytetarët amerikanë si një gjest i vullnetit të mirë përpara takimit mes Kim Jong Un dhe Donald Trump.

Në fund të muajit Maj apo në fillim të Qershorit, pritet që dy liderët, Presidenti Trump dhe diktatori Kim Jong të takohen për herë të parë për të diskutuar mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut.

/tvklan.al