Plot 324 kilogramë kanabis janë sekuestruar nga policia e Vlorës, ndërsa një person është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se në pranga ka rënë Aldrin Ramadani, 25 – vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur 54 – vjeçari me iniciale Z.T., të dy banues në fshatin Tragjas.

Policia thotë se pas kontrollit të ushtruar në një stallë në këtë fshat, përballë banesës së 54 – vjeçarit kanë gjetur të fshehur në të një sasi kanabis me peshë totale rreth 269 kilogramë.

Për këtë arsye, 54 – vjeçari është shpallur në kërkim si autori i dyshuar në lidhje me posedimin e kësaj lënde narkotike.

Ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 25 – vjeçarit Aldrin Ramadani, po në fshatin Tragjas, policia ka gjetur një sasi tjetër me lëndë narkotike, me peshë prej 55 kilogramë.

Aktualisht, policia e Vlorës thotë se vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të implikuar në veprimtarinë kriminale të fushës së prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike./tvklan.al