Më shumë se 1 ton marijuanë ka sekuestruar policia greke të enjten gjatë një operacioni anti-drogë në qytezën Afidnes, në rrethinat e Athinës.

Mediat greke shkruajnë se 6 persona përfunduan në pranga, disa prej tyre shqiptarë. Marijuana e sekuestruar mësohet se vinte nga Shqipëria dhe do të transportohej në Europën veriore.

Aksioni i forcave greke kishte nisur prej disa ditësh, duke vënë në survejim një kamion të dyshimtë. Pasditen e sotme, agjentët ndoqën kamionin, i cili hyri në një magazinë në periferi të kryeqytetit grek. Menjëherë nisi operacioni që mundësoi arrestimin në flagrancë të trafikantëve.

Mes tyre mësohet se është edhe një baron grek, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Autoritetet greke njoftojnë se do të dalin të premten me një komunikatë për shtyp, për detaje të mëtejshme.

Sekuestrimi i kësaj sasie masive droge në Greqi, vjen 2 ditë pas një tjetër operacioni anti-drogë, ku në qytetin e Janinës u kapën 132 kg marijuanë dhe u arrestuan 2 të rinj shqiptarë.

Tv Klan