Kompleksi-Gjoka

Ky kompleks i ngritur në katër rrugët e Shijakut që i takon shtetasit Dashamir Gjoka është vënë në sekuestro preventive nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pas kërkesës së Prokurorisë për Krimet e Rënda.

Bashkë me këtë pasuri, Gjokës i janë sekuestruar edhe mijëra metra katrorë tokë, të cilën sipas Prokurorisë, dyshohet se e ka përfituar nga një aktivitet kriminal të cilin e kryente në Itali.

Në raportin e Prokurorisë thuhet se Dashamir Gjoka ka qënë drejtues i një organizate kriminale që ka ushtruar aktivitetin e saj nga viti 1999 – 2003 në Milano e Puglia.

Kjo organizatë, sipas hetuesve italianë, merrej me futjen në mënyrë klandestine në Itali të grave me origjinë nga Evropa Lindore. Qëllimi ishte shfrytëzimi i tyre për prostitucion.

Dashamir Gjoka rezulton i dënuar nga Gjykata e Apelit e Milanos me 7 vjet e 6 muaj burg. Në vitin 2013, ai arrestua nga Policia Shqiptare pasi rezultonte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Por të tre shkallët e gjyqësorit në vendin tonë refuzuan kërkesën e palës italiane për ekstradim dhe e lanë të lirë atë.

Është pikërish kjo kohë kur Prokuroria e Durrësit nisi një hetim për Gjokën, për akuzën e pastrimit të produkteve kriminale. Fillimisht, Gjykata e Durrësit vendosi sekuestro preventive mbi pasuritë e biznesmenit në 17 Mars 2015, por vetëm dy muaj më vonë, po kjo gjykatë ka rrëzuar këtë vendim.

Pas kësaj, dosja u hetua nga Prokuroria për Krimet e Rënda, e cila ka dyshime se 11 mijë metra katrorë truall, 15 mijë metra katrorë tokë arë, si dhe disa biznese e ndërtime, Dashamir Gjoka i ka vendosur nga aktiviteti kriminal.

Tv Klan