selami

Humbja në zgjedhjet lokale i shtoi zërat kritikë ndaj kryetarit të opozitës, veçanërisht pas deklaratave të tij se Partia Demokratike kishte dalë fituese. Figura të njohura brenda partisë kanë bërë kritika ndaj udhëheqjes për mungesë të rolit udhëheqës. I pyetur për këto zhvillime nga Zëri i Amerikës, Eduard Selami, një prej themeluesve të Partisë Demokratike thotë pa rezerva se Basha duhet t’i korrigjojë qendrimet e tij dhe duhet të jetë më i vemendshëm ndaj kritikave.

Eduard Selami – Deputet i PD: “Si çdo parti e madhe, e kundërta do të ishte çudi. Ne kemi diferencën e mendimeve. Ne kemi mendime të ndryshme si parti e hapur dhe bashkëkohore. Kjo është fare normale. Unë mendoj që kritikat bëhen që të përmirësohet puna e partisë demokratike dhe kryetari Basha duhet të jetë më i vëmendshëm në kritikat që i bëhen dhe të korigjojë qëndrimet e tij në mënyrë që të jemi fitues në zgjedhjet e ardhshme.

I pyetur nëse Partia Demokratike ka nje program për ringritjen e saj pas humbjes së dy zgjedhjeve të fundit apo nëse do të vazhdojë bojkotin, Selami thotë se i takon kryetarit Basha të korrigjojë çfarë nuk funksionoi në këto dy vite.

Eduard Selami – Deputet i PD: Unë them se ka gjëra që kryetari Basha duhet t’i korrigjojë. Në bazë të këtyre dy humbjeve edhe ne do të fillojmë analizën. Mundësia që ne të dalim fitimtarë në zgjedhjet e ardhshme është aty. Kjo do të jetë në të mirë jo vetëm të kryetarit Basha, por edhe në të mirë të Partisë Demokratike, në të mirë të gjithë shqiptarëve.

Selami thotë se sfida kryesore e Partisë Demokratike është futja edhe njëherë e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian, nga e cila ka dalë për faj të qeverisë.

Tv Klan