nishani takim

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim Senatorin amerikan Chris Murphy në cilësinë e kryetarit të nënkomisionit të jashtëm për çështjet europiane, me të cilin bisedoi për çështje të bashkëpunimit dypalësh, bashkëpunimit rajonal dhe sfidat e sigurisë në shkallë globale.

Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të cilat kanë qëndruar pranë Shqipërisë në procesin e vështirë të transformimit demokratik dhe në rrugën e integrimit tonë euroatlantik.

Nishani vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara në funksion të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon, duke veçuar njohjen dhe mbështetjen e Kosovës së pavarur. Në lidhje me situatën në Siri dhe Irak, Presidenti Nishani vuri në dukje se Shqipëria po kontribuon përkrah partnerëve kundër terrorizmit.

Senatori Murphy tregoi interes për ecurinë e reformave demokratike në vend, vlerësoi politikën moderatore rajonale të Shqipërisë dhe rolin e saj aktiv në luftën kundër ekstremistëve në Irak dhe Siri.

Senatori Murphy është pritur edhe nga Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të SHBA në kuadër të forcimit të institucioneve në Shqipëri dhe në veçanti në drejtim të reformës në drejtësi. Duke u ndalur në veçanti në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, Meta tha se Shqipëria mirëpret angazhimin e Serbisë në funksion të bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal, në të mirë të të dy popujve dhe qytetarëve tanë, gjë që realizohet vetëm përmes dialogut konstruktiv dhe qëndrimit larg retorikave të panevojshme nacionaliste që tentojnë të na kthejnë pas në histori.

Senatori Murphy pati edhe një takim me Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Kryetari i opozitës ndau me Senatorin Murphy shqetësimin për vendosjen në vend sipas tij të praktikave autokratike dhe oligarkike, në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë dhe shtetit ligjor.

Tv Klan