Serbi Mladen Grujiçiç është zgjedhur kryetar i ri i bashkisë së Srebrenicës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Sarajevë kumtoi se kandidati i koalicionit të partive serbe “Zajedno za Srebrenicu” (“Së bashku për Srebrenicën”), ka fituar më shumë vota se kandidati i partive boshnjake Qamil Durakoviç.

Grujiçiç ka fituar në zgjedhjet e fundit lokale 4.678 vota, ndërsa kundërkandidati i tij, bosnjaku Durakoviq fitoi 3.910 vota.

KQZ i Bosnjë-Hercegovinës i bëri publike këto të dhëna mbi bazën e votimit me 2 tetor, kur u mbajtën zgjedhjet lokale në Bosnjë-Hercegovinë.

Rezultatet janë zyrtare, por një anëtar i Komisionit, boshnjaku Suad Arnautoviç, tha se kishte abstenuar në votim, sepse nuk është i kënaqur me (mos)numërimin e votave që janë dërguar me postë për bashkinë e Srebrenicës.

KQZ ka refuzuar të numërojë rreth 2000 vota që kanë ardhur me postë, me shpjegimin se ato janë dërguar pas kalimit të afatit kohor. Zgjedhjet me 2 tetor kanë qenë të shtatat me radhë, prej miratimit të Marrëveshjes së Dejtonit, në vitin 1995.

Srebrenica konsiderohet si simboli i masakrave më të mëdha në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë luftës së fundit, brenda dy-tre ditësh, në këtë qytet u vranë nga forcat serbe rreth 8000 myslimanë.

/Deutsche Welle