Lëvizja politike Dveri ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç se do të njohë Kosovën si shtet të pavarur. Sipas kësaj partie, njohja do të finalizohet me ndryshimet kushtetuese dhe me nënshkrimin e kryeministres Ana Bërnabiç. 

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka rënë dakord në takimin e fundit me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në Bruksel, që të njohë shtetin e Kosovës dhe se kjo njohje do të finalizohet me ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë. Kjo është bërë e ditur nga organizata politike e quajtur Lëvizja Serbe Dveri.

Ky informacion lidhet me faktin që dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në një fazë tjetër që parashikon edhe bisedimet për një njohje reciproke. Deklarata e Lëvizjes Dveri vazhdon duke shtuar se Partia Përparimtare Serbe dhe ajo Socialiste, këtë po e bëjnë si plotësim të kërkesave që u erdhën nga Brukseli.

Sipas Dver-t, vetë njoftimi i presidentit Vuçiç për bisedim në nivel presidentësh tregon se ai e konsideron Kosovën shtet dhe se pasuesja e tij në qeverinë e Serbisë, Ana Brnabiç, do të nënshkruajë njohjen e Kosovës shtet.

“Kjo qeveri do të jetë mashtrim i madh dhe tradhtare e popullit serb”, shkruan Dveri. Ndërsa më tej I bën thirrje opozitës që të bashkohet për të ruajtur kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe për mbrojtjen e shtetit dhe të gjithë qytetarëvë të Serbisë./ABCNews