Serbia do të zhvillojë zgjedhjet presidenciale më 2 Prill, tha të enjten krye-parlamentarja, Maja Gojkovic.

Data e shpallur nënkupton se raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet me 16 prill, nëse asnjë prej kandidatëve nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave në raundin e parë.

Kryeministri populist i Serbisë, Aleksandar Vuçiç – një ish-ultranacionalist tashmë i vetë-deklaruar si pro-BE, konsiderohet si favorit për të fituar presidencën, ndoshta që në raundin e parë.

Ai do të ketë përballë shumë kandidatë opozitarë, përfshirë liberalin pro-perëndimor Sasa Jankoviç, ish-ministrin e jashtëm Vuk Jeremiç, i cili mbështetet nga grupet konservatore dhe pro-Ruse; si dhe ultra-nacionalistin Vojislav Sheshel, i cili  është pastruar nga akuzat për krime lufte nga një gjykatë ndërkombëtare.

Jeremic i ka bërë thirrje Vuçiçit të japë dorëheqje si kryeministër i Serbisë para nisjes së fushatës elektorale.

Edhe pse posti i Presidentit është ceremonial, rezultati i votimit mund të përcaktojë nëse Serbia do të vazhdojë në rrugën e nisur drejt BE-së apo do të lëvizë drejt aleatit të saj tradicional, Rusisë.

Presidenti pro-Rus i Serbisë, Tomislav Nikoliç, që vjen nga e njëjta parti me Vuçiç, ka vendosur të mos garojë pas mandatit 5-vjeçar. /tvklan.al