Edhe pse kishte afat deri në fund të 2016 -ës për t’i dhënë pavarësinë Operatorit të Transmetitmit të Kosovës, Serbia nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Ky veprim vijon të mbajë peng projektin 75 milionë euro të linjës së interkonjeksionit 400 kv Shqipëri – Kosovë.

Me anë të këtij vendimi, Sekretariati i Energjisë hapi një çështje kundër Beogradit, ku i kërkoi në mënyrë të menjëherëshme zhbllokimin e linjës. Deri tani, Beogradi zyrtar nuk ka marrë asnjë hap.

Burime pranë Ministrisë së Energjisë thonë për Televizionin Klan se në mbledhjen më të afërt të Këshillit të Ministrave, që janë anëtarë të Komunitetit të Energjisë, Serbisë do t’i hiqet e drejta e votës.

Nëse ajo vijon të mos zbatojë vendimin e Sekretaritatit, hapi i dytë që do të merret kundër saj është heqja e fondeve që merr si ndihmë në fushën e energjisë dhe nëse sërish nuk vepron, masa më e madhe penalizuese do të jetë përjashtimi nga Sekretariati.

Çdo vit, si Kosova dhe Shqipëria, humbin 1 milionë euro vetëm nga pagesat që duhet të jepnin kompanitë të cilat do të përdorin këtë linjë, ndërsa një faturë e pallogaritshme është edhe siguria energjitike e dy vendeve.

Tv Klan