Editorial – “The New York Times”

Me fitoren vendimtare të Kryeministrit Aleksandër Vuçiç në zgjedhjet presidenciale të 2 Prillit, Serbia ka hedhur një tjetër hap drejt autokracisë. Megjithëse presidenca është përgjithësisht ceremoniale, Vuçiç tashmë mund ta zgjedhë me kujdes pasardhësin e tij si kryeministër dhe ta konsolidojë pushtetin e tij, për sa kohë parlamenti dhe gjyqësori janë bllokuar nga Partia Progresive Serbe e tij. Pasi cungoi ashpër lirinë e shtypit dhe margjinalizoi opozitën, përqendrimi i pushtetit në duart e tij është një ogur i zi për Serbinë.

Megjithëse Vuçiç fitoi më shumë se 50 për qind të votave, shumë më tepër se kandidati i vendit të dytë, Sasa Jankoviç, i cili fitoi pak më shumë se 16 për qind, zgjedhjet u shoqëruan me akuza për frikësim të votuesve dhe një dominim total të medias serbe nga Vuçiç dhe partia e tij.

Ajo çfarë flet shumë për cinizmin e Serbëve është se Luka Maksimoviç, një student 25-vjeçar i cili kandidoi – fillimisht si shaka – nën pseudonimin e Ljubisa “Beli” Preletaceviç – një emër që aludon në dikë që ndryshon partitë politike për përfitime personale – fitoi 9 për qind të votave. Por, pakënaqësia politike e serbëve shkon përtej cinizmit.

Çdo ditë që prej zgjedhjeve të 2 Prillit, mijëra protestues, shumica të rinj, janë derdhur në rrugët e Beogradit, duke u rënë bilbilave dhe me pankarta të tilla si “Poshtë me Diktaturën” dhe “Vuçiç, ti vodhe zgjedhjet.” Vuçiç krenohet duke thënë se fakti që qeveria nuk i ka shtypur protestat është një “shenjë e demokracisë”. Duke marrë parasysh shtypjen e shëmtuar të protestave publike në shumë shtete autokrate, ky është një argument – ose ndoshta ai thjesht nuk i shikon studentët që u fryjnë bilbilave të jenë kërcënim për të, tani që zgjedhjet kanë përfunduar.

Në çdo rast, Vuçiç, mund të tregojë një angazhim drejt demokracisë duke rivendosur lirinë e shtypit, duke i lejuar publikut aksesin në pikëpamjet e ndryshme dhe zërat e pavarur të shtypit si dhe duke urdhëruar një hetim të pavarur të akuzave për frikësim të votuesve me premtimin se kushdo i implikuar do të ndëshkohej.

Liderët evropianë që shikojnë forcën për stabilitet tek dora e fortë e Vuçiçit – dhe shpresojnë se ai do të bëjë mirë në premtimin për ta mbajtur Serbinë në rrugën e Bashkimit Evropian megjithëse influenca e Rusisë në Ballkan rritet – duhet ta shtangin tundimin për të shikuar në krahun tjetër në një kohë që Vuçiç dhe aleatët marrin kontrollin monopolizues të institucioneve politike dhe shtypit të vendit.

Të pranosh një kontroll të tillë nga Vuçiç, do të ishte tradhti ndaj vlerave thelbësore të Bashkimit Europian  dhe atyre serbëve që e shikojnë BE-në si një fener të të drejtave dhe lirive demokratike në një kohë kur liderët e Evropës Lindore dhe Qendrore po i kthejnë shpinën demokracisë. 

Shqipëroi tvklan.al