Përfundon sërish në telashe kompania italiane Serenissima Construzioni, e kontraktuar për ndërtimin e 2 By-Pass-eve të rëndësishme në vendin tonë, atë të Fierit dhe të Vlorës dhe e larguar me një mal me borxhe të lëna pas.

Pas paditjes në drejtësinë shqiptare, dy firmat nënkontraktuese shqiptare, “Elite Mine” dhe “Cae”, të përfaqësuara nga dy avokatë italianë, e çojnë çështjen në gjykatën e Veronës. Padia ngrihet ndaj A4 Holding, grupin që zotëronte firmën e ndërtimit, si edhe ndaj dy kompanive të tjera italiane të cilat vetëm pak javë më parë blenë aksionet e Serenissima-s. Hija e dyshimit për një strategji mashtrimi, siç shkruajnë mediat italiane, ngrihet pikërisht pas shitjes së kompanisë Serenissima Construzioni. A4 Holding që zotëronte aksionet e saj, rezulton një firmë e lidhur me investimet infrastrukturore në Verona dhe lidhur ngushtë me kryebashkiakun e saj Flavio Tosi.

Firma e kontraktuar për dy By-pass-e në Shqipëri akuzohet se ka tentuar të fshehë borxhin e konsiderueshëm prej 18 milionë eurosh, që i detyrohet nënkontraktuesve shqiptare. Sipas palës mbrojtëse të kompanive shqiptare, 12 nga këto 18 milionë janë vërtetuar nga Gjykata e Tiranës.

Skandali ka bërë bujë edhe në mediat e vendit fqinj. Prestigjiozja italiane “

Corriere della Sera”

ka pasqyruar ngjarjen me titullin “Borxhi prej 18 milionë eurosh, Serenissima në telashe”, ku thotë se marrëveshja 80 milionë euroshe që parashikonte të shënjonte zhvillimin e Shqipërisë, përfundoi keq për shkak te shkeljeve te kompanisë italiane.

Disa ditë më parë Autoriteti Rrugor Shqiptar i hoqi të drejtën e vazhdimit të punimeve për By Passin e Fierit dhe Vlorës kompanisë Serenissima. Në letrën e siguruar nga Televizioni Klan, drejtori i përgjithshëm i ARSH, i shpjegon arsyet e ndërprerjes së kontratës, ku theksohej vonesa e konsiderueshme në afatet e caktuara.

Tv Klan