Tetë muaj pas ndarjes, Orlando Bloom dhe Katy Perry janë parë në shoqërinë e njëri-tjetrit në koncertin e Ed Sheeran në Staples Center të LA.

Edhe pse ata kishin vendosur kapele fansat kanë mundur t’i njohin dhe ta fotografojnë çiftin. Aktori 40 – vjeçar shfaqet duke e përqafuar këngëtaren 32 – vjeçare. 

Një prej fansave që ndodhej në koncert tha për “E! News”:

“Ata përfundimisht dukeshin sikur janë kthyer bashkë. Përkëdheleshin gjatë gjithë natës, ajo ishte ulur në prehërin e tij dhe putheshin”.

Ndërsa një tjetër u shpreh se çifti dukej sikur po shijonte momentin më të bukur të jetës së tyre.

Por vetëm pak ditë më parë, Katy Perry është parë duke shijuar një darkë romantike me Robert Pattinson, ndërkohë që e fejuara e tij e kishte hequr nga gishti unazën e fejesës. Robert dhe Katy kanë qenë miq për vite me radhë. Ata u lidhën në vitin 2013, pasi Robert u nda nga protagonistja e Twilight, Kristen Stewart, por ata gjithmonë e kanë ruajtur miqësinë e ngushtë me njëri-tjetrin.

Katy dhe Orlando u ndanë në muajin Mars, pasi u tha se kishin nevojë për t’i lënë pak kohë dhe hapësirë marrëdhënies së tyre.

Ata u shfaqën për herë të parë publikisht si një çift zyrtar në vitin 2016 në Golden Globe, në Los Anxhelos. Në Nëntor të vitit të kaluar nisën thashethemet se çifti ishte fejuar, pasi Katy u pa duke mbajtur një unazë të madhe diamanti në gishtin e martesës.

Aktori Bloom më parë ka qenë i martuar me supermodelen Miranda Kerr, martesë nga e cila ka ardhur në jetë djalë i tyre, Flynn. Ndërsa këngëtarja Perry ka qenë e martuar me komedianin anglez, Russell Brand./tvklan.al