Për të dytën herë Drejtësia kroate vendosi për ekstradimin e Ismail Morinës në Serbi. Ashtu si pak javë më parë, Gjykata e Shkallës së Parë në Dubrovnik u shpreh se Morina duhet t’u dorëzohet autoriteteve serbe të cilat e kanë lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj tij.

Ismail Morina, i njohur gjerësisht si “Ballisti” akuzohet nga Serbia për nxitje të urrejtjes mes kombeve dhe feve, pas ngritjes së dronit me flamurin e Shqipërisë Etnike në stadiumin e Beogradit.

Familjarët e Ismail Morinës njoftojnë se do ta apelojnë sërish vendimin në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit vendosi më herët të kthente përsëri çështjen për shqyrtim në shkallën e parë, me argumentin se ajo nuk ishte trajtuar saktësisht.

Ndërkohë Ballisti Morina nën këshillimin e përfaqësuesve ligjorë, ka bërë kërkesë për azil politik në Kroaci, një masë kjo që do të bllokonte procedurat e ekstradimit në Serbi.

Ismail Morina u arrestua në qershor të këtij viti në Kroaci, teksa po kthehej për në Shqipëri. Çështja e tij nxiti reagimin e strukturave shtetërore shqiptare të cilat i bënë thirrje autoriteteve kroate ta lirojnë atë.

Tv Klan