Ndërtesa Gherkin që ndodhet në qendër të Londrës është evakuuar, pas raportimeve për tym që vinte nga një dhomë e nëndheshme.

Lajmi u konfirmua nga brigada e zjarrfikëses së kryeqytetit britanik, që sqaroi se hetohen shkaqet. Një zëdhënës tha për “The Sun” se kishin marrë një telefonatë rreth orës 08:36 të mëngjesit, por pa dhënë detaje të tjera.

Menjëherë u bë i mundur evakuuimi i personave që ndodheshin në këtë ndërtesë, emri i vërtetë i të cilës është 30 St Mary Axe.

Dëshmitarë të shumtë thanë se kishin parë rrugët plot me njerëz dhe zjarrëfikëset e parkura jashtë.

Edhe punonjësit e gradaçelës, me anë të postimeve në Twitter konfirmuan se po evakuoheshin.

Që prej sulmit të ditës së djeshme në Westminster, autoritetet britanike janë në alert maksimale, ndërsa kreu i Antiterrorit në një deklaratë gjatë ditës së sotme tha se rreziku për sulme të tjera është ende prezent./tvklan.al