Dy tërmete brenda pak orëve kanë tronditur Italinë fqinje.

Një lëkundje me magnitudë 4.2 është regjistruar në orën 4:13 mes provincave të Aquila, Rieti dhe Teramo.

Banorët kanë dalë në rrugë, të mbërthyer nga paniku dhe e kanë kaluar natën jashtë banesave.

E përditshmja italiane “La Repubblica” shkruan se lëkundjet kishin një thellësi prej 14 kilometrash, ndërsa epiqendra ishte 3 kilometra nga Compotosto (Aquila), 8 kilometra nga Amatrice (Rieti) dhe 12 kilometra nga Crognaleto (Teramo).

Dy tërmete të tjera në shkallë më të ulët (2.4 dhe 1.4) u ndjenë pas lëkundjes së parë.

Deri më tani, fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar apo edhe dëme materiale.

Lëkundjet sizmike nuk kanë prekur vetëm Italinë qendrore, e cila vuan ende pasojat e tërmeteve shkatërruese të 24 Gushtit dhe 26 Tetorit të vitit të shkuar.

Të premten në mbrëmje, në Veri të Italisë u regjistrua një tërmet me magnitudë 3.6, mes Lombardisë dhe Veneto. Fatmirësisht edhe në këtë rast nuk ka patur të lënduar apo dëme materiale.

Këto lëkundje sizmike vijnë pa kaluar ende 24 orë nga tërmeti me magnitudë 6.7 që goditi Greqinë dhe Turqinë, orët e para të së premtes, që shkaktoi edhe cunami. Të paktën 2 persona humbën jetën e mbi 100 të tjerë mbetën të lënduar në Bodrum të Turqisë dhe ishullin Kos të Greqisë./tvklan.al