Argjentina kërkon kthesën ndaj Meksikës, Polonia duelon me Arabinë

Përballje interesante dhe që mund të vendosin shumë për fatin e disa kombëtareve. Kjo është tabloja e kësaj të shtunë në Kupën e Botës. Në fushë zbresin grupi C dhe D, të cilët do kompletojnë xhiron e dytë të dueleve në grupe. Dita nis me duelin e orës 11 mes Tunizisë dhe Australisë. Afrikanët dëshirojnë që të regjistrojnë fitoren e parë në Katar, çka do të thoshte edhe një tjetër hap drejt raundit tjetër të kompeticionit. Ndërkaq, australianët duan të harrojnë shpejt humbjen ndaj Francës dhe sigurisht të lënë fundin e renditjes.

Po në këtë grup, në orën 17:00 luhet sfida mes Francës dhe Danimarkës. Kampionët e Botës numërojnë 3 pikë në krye dhe një triumf do i kalonte automatikisht në turin tjetër. Vetëm një herë “gjelat” kanë dështuar për të kaluar fazën e grupeve pasi kanë fituar ndeshjen e parë, në vitin e largët 1930. Ndërsa në krahun tjetër, danezët janë të uritur për pikë, me dy sfidat e fundit kundër ‘gjelave’ që flasin në favor të tyre.

Pak kush e kishte menduar që Arabia Saudite të ishte në kryesimin e grupit C pas duelit të parë. Arabët befasuan Argjentinën dhe një ‘surprizë’ të tillë kërkojnë ta bëjnë dhe ndaj Polonisë. Përballja mes dy kombëtareve do luhet në orën 14:00, me 90 minutëshin që premton spektakël dhe gola. Dueli i mbrëmjes do të jetë ai mes Argjentinës dhe Meksikës. Përballja e kthesës konsiderohet ajo për Messin me shokë, ndërsa meksikanët duan të gjejnë golin e parë në këtë Kupë Bote.

Klan News