Me 7 pikë më shumë në vendin e parë, të siguruara pas fitores me Romën, Juventus është kampione e dimrit dhe një hap më shumë drejt titullit të radhës.

Juve nuk ka rivalë, është tashmë një shprehje e konsumuar pasi bardhezinjtë kaluan një provë shumë të rëndësishme një natë më parë, duke arritur edhe rekordin e 26 ndeshjeve të fituara në shtëpinë e tyre. Për Massimiliano Allegri-nrekordi nuk llogaritet, madje ai është shfaqur i pakënaqur gjatë ndeshjes me futbollistët e tij.

Massimiliano Allegri:

Mua rekordet nuk më interesojnë. E rëndësishme është që në fund të majit ne të arrijmë të parët në renditje. Sot nuk e administruam mirë lojën, madje rrezikuam edhe të pësonim.

Roma si pretendentë kryesore për titullin sheh tashmë më pak shpresa për t’ia dalë të fitojë kampionatin për herë të katër në historinë e vet. Edhe pse krijoi volum loje dhe raste nuk mundi ti finalizojë, më së shumti për meritë të mbrojtjes së Juventusit.

Luciano Spalletti:

Kemi dalë shumë keq nga kjo sfidë. Na duhej rezultati. Në duelet individuale ishin më të fortë se ne. Na mungoi finalizimi në 20 metrat e fundit edhe për faktin se Juventus u mbrojt mirë.

Me 60% të qarkullimit të topit, dhe 79% të pasimeve të sakta, Roma me gjithë volumin e lojës që bëri, goditi vetëm dy herë portën në mënyrë të qartë, përkundrejt 6 goditjeve të Juventusit.

Spalletti po mendon për merkaton e dimrit për të gjetur finalizuesin e saktë të gjithë aksioneve që ndërton skuadra./ TV KLAN