Në Shqipëri jemi ende në hapat e para të futjes në masë të internetit nëpër shkolla, për t’i ardhur në ndihmë nxënësve me detyrat e tyre.

Por krejt ndryshe ndodh në vende të tjera si Europë e SHBA, ku interneti është kthyer në burimin kryesor për të gjetur informacione e për të përgatitur detyrat.

Pikërisht kjo është dhe problematika që sjell në vëmendje e përditshmja prestigjoze “New York Times” në një artikull të sajin, në fokus të së cilit qëndron sfida dhe pasojat e implementimit të internetit në detyrat e shkollës në mënyrë masive.

Për shkak të kërkesës së mësuesëve që nxënësit e tyre, të të gjitha moshave, të shfrytëzojnë burime nga interneti me detyrat e shtëpisë, po krijohet një disbalancë e shkaktuar pikërisht nga teknologjia, mes studentëve të cilët kanë internet super të shpejtë në shtëpi dhe rreth 5 milionë familjeve që nuk kanë fare intenet dhe që përpiqen me çfarë munden të ecin me të njëjtin hap me të tjerët, sqaron “New York Times”.

Sipas gazetës, kjo lloj problematike ndihet në të gjithë vendin. Disa nxënës në Coachella dhe Huntsville, varen nga autobusët e shkollës që kanë wireless për të bërë detyrat. Autobusat parkohen në zona rezidenciale gjatë natës, në mënyrë që fëmijët të kenë mundësinë të lidhen dhe të vijojnë të studiojnë.

Në qytete si Detroit, Miami apo New Orleans, ku një e treta e shtëpive nuk kanë internet, fëmijët mbipopullojnë libraritë apo fast – food, që kanë wireless falas.

femijet2

E gjithë kjo situatë, sipas gazetës amerikane, ka bërë që pjesëtarët e Komisionit Federal të Komunikimit, muajin e ardhshëm të votojnë një plan për të mundësuar internet me anë të telefonave edhe në shtëpitë e atyre që nuk kanë.

Jessica Rosenworcel, anëtare e këtij Komisioni, për “New York Times” shprehet se ky është një ndër efektet më negative të zhvillimit të teknologjisë.

Ajo citon edhe një studim sipas të cilit, 7 nga 10 mësues, aktualisht japin detyra që kërkojnë përdorimin e internetit.

Administrata Obama njoftoi në Korrik programin për të ndihmuar familjet që nuk kanë mundësi të kenë internet në shtëpi, që t’i mundësonin platforma falas me anë të telefonit.

Ky plan, i njohur si “Lifeline” ka hasur kundërshti tek e anëtarët republikanë të komisionit, gjithashtu edhe nga disa ligjvënës, që shprehen kundër, pasi sipas tyre projekti, i prezantuar në 1985 – ën për të vendosur telefona te shtëpitë e familjeve të varfëra, është humbje kohe dhe abuziv.

Megjithatë, grupe të ndryshme në mbrojtje të fëmijëve dhe minoriteteve e kanë mbështetur këtë projekt, me arsyetimin se do të jetë i rëndësishëm për të parandaluar studentët që të mbeten prapa me studimet e tyre.

Një tjetër aspekt tepër i rëndësishëm që “New York Times” sjell në vëmendje është ai social, pasi nxënësit përpëliten për të përfunduar detyrat e tyre rrugëve, apo tek një shok/shoqe e klasës dhe nuk janë të pakta rastet e adoleshentëve, që kjo situatë i vendos në pozitë të vështirë, pasi rrezikojnë të bëhen të bezdishëm tek miqtë e tyre, ose të dalin keq në sytë e mësuesëve, që mund ta marrin si justifikim faktin se nuk i kanë përfunduar detyrat. /tvklan.al