Vëmendja e futbollit italian do të kthehet sot në mbrëmje në “San Siro”, për ndeshjen e madhe të javës së 26 të Serie A, Inter – Roma.

Zikaltrit kërkojnë fitoren e tretë radhazi, edhe për t’ju përgjigjur Atalantas që fitoi në fushën e Napolit dhe ka 3 pikë më shumë në renditje.

Ndërsa Roma nuk e ka sfidën të drejtpërdrejtë me Inter-in pasi ka 8 pikë më shumë se skuadra e Piolit. Spaletti duhet të përfitojë nga stopimi i Napolit për të shkëputur me 5 pikë në vendin e dytë.

Sfida është tejet delikate, të dy skuadrat duan vendet e sigurta në Europë. Inter për më tepër do të luajë edhe nën sytë e presidentit Erick Thohir, i cili ka ardhur nga Indonezia pikërisht për këtë ndeshje.

Stefano Pioli nuk do të ketë Miranda, i skualifikuar, por rikthehet Icardi pas dënimit që kishte për dy ndeshje. Kapiteni i Interit ka një sfidë me Edin Dzekon në garën për golashënuesin më të mirë të kampionatit.

Boshnjaku ka shënuar 19 gola, ndërsa argjentinasi 15. Për momentin Dzeko është njeriu që shihet si shpëtimtar i Romës që kërkon fitoren e 4 radhazi dhe ka mundësinë më të mirë të sigurojë vendin e dytë.

Në dy përballjet e fundit në San Siro fitues ka dalë Inter. Roma nuk ka marrë një trepikësh që prej tetorit të 2013./ TV KLAN