Rreth 90 tonë materiale ushtarake të SHBA-së e quajtur ndryshe “ndihmë vdekjeprurëse” arriti në Ukrainë, teksa tensionet mbeten të larta për shkak të grumbullimit të ushtrisë ruse përgjatë kufirit me Ukrainën. Kjo ishte dërgesa e parë e ndihmës së miratuar së fundmi nga ushtria amerikane për Ukrainën, ku përfshihen edhe municione për “mbrojtësit në vijën e parë” të frontit.

Kjo dërgesë arriti në Ukrainë pas vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Kiev gjatë kësaj jave, nga ku ai paralajmëroi për përgjigje të ashpër nëse Rusia pushton Ukrainën.

Moska ka mohuar se ka plane për ta sulmuar apo pushtuar Ukrainën. Presidenti amerikan Joe Biden, në dhjetor miratoi një paketë ndihme me vlerë prej 200 milionë dollarësh.

Ambasada amerikane në Kiev tha se kjo dërgesë dëshmon “angazhimin e vendosur të SHBA-së ndaj të drejtës sovrane të Ukrainës për vetëmbrojtje”.

Dërgesa me ndihma arriti disa orë pasi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe homologu i tij amerikan, Blinken zhvilluan bisedime në përpjekje për të ulur mundësitë e zgjerimit të konfliktit në Ukrainë.

Çështje e Ukrainës do të diskutohet nga presidenti amerikan Joe Biden dhe këshilltarët e sigurisë kombëtare këtë fundjavë. Presidenti ndodhet në Camp David, një vendpushim presidencial në shtetin e Merilendit ku do të kalojë fundjavën.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë  Jen Psaki tha se Presidenti do të diskutojë se “cilat do të jenë hapat e ardhshëm të duhur”.

Në anën tjetër, sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, pritet që të qëndrojë në Moskë për bisedime me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Agjencia shtetërore e lajmeve ruse TASS, duke iu referuar burimeve të Ministrisë së Jashtme, raportoi se kjo vizitë pritet të ndodhë në muajin shkurt.

Klan News