Sanksionet e reja që ndëshkojnë Rusinë për ndërhyrjen e saj në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, bënë një hap me rëndësi të martën: Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një ligj që zgjeron kontrollin e Kongresit mbi sanksionet dhe nuk lejon Presidentin Donald Trump t’i zbutë ato.

Pas më shumë se një muaj bisedimesh mes dy partive dhe vonesave procedurale, Dhoma e Përfaqësuesve përfshiu në projektligj masa të reja që i japin asaj të drejtën për mbikqyrjen e sanksioneve. Një version më i hershëm i projektligjit u miratua me shumicë dërrmuese nga Senati në qershor me rezultatin 97 vota pro dhe 2 kundër.

Legjislacioni i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve me 419 vota pro dhe 3 kundër, përfshin edhe sanksione kundër Iranit dhe Koresë së Veriut, përveç atyre që ndëshkojnë Rusinë për një sërë aktivitetesh.

“Këto tre regjime në pjesë të ndryshme të botës po kërcënojnë interesat jetike të SH.B.A. dhe po destabilizojnë fqinjët”, tha të martën kongresmeni republikan i Kalifornisë, Ed Royce.

Miratimi i Kongresit

Zoti Royce tha se projektligji garanton lënien në fuqi të sanksioneve të ashpra ekonomike dhe diplomatike, duke i dhënë fuqi Kongresit për të mos miratuar lehtësimin e sanksioneve.

“Nëse presidenti Trump dëshiron të luajë golf apo të bëjë diçka me shokun e tij, zotin Putin, ai nuk duhet të llogarisë mbështetjen e Kongresit, sepse ne do ta ndëshkojmë z. Putin”, tha zv.kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel. /VOA