Koreja e Veriut thotë se ka testuar me sukses raketën e saj të parë me rreze të gjatë veprimi, të njohur ndryshe edhe si interkontinentale.

Pretendimet koreanoveriore janë publikuar si lajm i minutës së fundit nga të gjitha agjencitë dhe organizatat mediatike më të mëdha në botë, përfshirë “AP”, “AFP”, “CNN”, “BBC”, etj.

Më herët, SHBA-ja tha se Koreja e Veriut kishte lëshuar një raketë në drejtim të Japonisë.

Kjo është hera e Parë që Koreja e Veriut pretendon se ka testuar me sukses një raketë balistike interkontinentale, e cila potencialisht mund të ketë mundësi të arrijë deri në tokën amerikane.

Koreja e Veriut sëfundmi ka rritur shpeshtësinë e testeve të saj bërthamore dhe raketore, duke shkaktuar rritjen e tensioneve ndërkombëtare.

Presidenti Amerikan Donald Trump tha fundjavën e kaluar se Amerikës i ishte sosur durimi me shtetin komunist.

Sipas Televizionit shtetëror Korean (KCTV) raketa arriti lartësinë maksimale të 2 802 kilometrave.

Raketa fluturoi në ujërat në lindje të Gadishullit Korean e madje mund të ketë rënë në Zonën Ekskluzive Ekonomike të Japonisë, e cila zgjatet 200 milje larg brigjeve japoneze.

Sipas ushtrisë koreanojugore, raketa u lëshua nga Panghyon dhe fluturoi për më shumë se 930 kilometër, çka përbën testin më të suksesshëm të historinë e Koresë së Veriut.

Udhëtimi i raketës sipas ushtrisë së Koresë së Jugut

Komanda amerikane e Paqësorit tha se e kishte gjurmuar raketën për 37 minuta dhe e përshkroi atë si raketë balistike “me rreze të mesme veprimi”. Ndërsa Japonia tha se raketa kishte fluturuar për 40 minuta.

Komanda amerikane e Paqësorit tha se raketa nuk përbënte rrezik për SHBA-të, por ndryshe nga ajo, Koreja e Veriut tha se raketa ishte me rreze të gjatë veprimi, ç’ka do të thotë se një raketë e tillë mund të arrijë deri në SHBA.

David Wright, drejtor i Programit për Siguri Globale, tha se edhe nëse raportimet e Komandës amerikane të Paqësorit, janë të sakta, raketa mund të ketë një rreze maksimale veprimi prej 6,700 kilometrash.

“Kjo rreze mund të mos jetë e mjaftueshme për të arritur 48 shtetet e poshtme amerikane apo ishujt e mëdhenj të Hawaiit, por do të mund t’i lejonte të arrinte të gjithë Alaska-n”, tha ai, i cituar nga CNN.

/tvklan.al