Një ditë pasi Koreja e Veriut lëshoi një tjetër raketë ndërkontinentale, Donald Trump reagoi ashpër duke shprehur zemërim ndaj Kinës, të cilën e akuzoi se po rri duarkryq e nuk bën asnjë gjë për të ndaluar kërcënimin e vendit komunist.

Jam shumë i zhgënjyer nga Kina. Liderët tanë budallenj i kanë lejuar qindra miliarda dollarë përfitime në tregti dhe Kina vijon të mos bëjë asgjë, tha Trump.

Presidenti amerikan paralajmëroi se nuk do të lejojë që kjo situatë të vazhdojë.

Menjëherë pas kësaj deklarate SHBA-të ndërmorën hapin e parë. Në kundërpërgjigje të testeve raketore të komunistëve, dy avionë bombardues B-1B të ushtrisë amerikane kaluan pranë hapësirës ajrore të Koresë së Veriut.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë të gatshëm të përdorin forcën ndaj Koresë së Veriut, të cilën e cilësuan si kërcënimi më i madh për stabilitetin.

Koreja e Veriut lëshoi të premten një tjetër raketë me rreze të lartë, duke thyer sërish urdhrat e Kombeve të Bashkuara.

Edhe ekspertët ushtarakë mendojnë se kjo raketë është e aftë të arrijë deri në Los Angeles apo Chicago./Tv Klan