Udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer ka deklaruar se ka arritur në një marrëveshje me republikanët për t’i dhënë fund mbylljes së qeverisë.

“Pas disa diskutimeve, ofertave dhe kundërshtimeve, udhëheqësi republikan dhe unë kemi ardhur në një marrëveshje. Do të votojmë sot për të rihapur qeverinë për të vazhduar bisedimet për një marrëveshje globale”,

tha Schumer.

Më herët këtë të hënë, udhëheqësi republikan Mitch McConnell premtoi të ndërmerrte një projekt-ligj imigracioni që përfshin mbrojtje për emigrantët pa dokumente të sjellë në SHBA si fëmijë, të ashtuquajtur “ëndërrimtarët”.

Schumer tha se ky premtim ishte i mjaftueshëm për demokratët që të miratojnë një projekt-ligj që do të financojë qeverinë edhe për tre javë të tjera.

 Nëse senatorët nuk arrijnë marrëveshje për një projekt-ligj të imigracionit si pjesë e një marrëveshjeje më të madhe buxhetore deri më 8 shkurt, Senati do të marrë një masë të veçantë dhe

“procesi do të jetë neutral dhe i drejtë për të gjitha palët”

, shtoi Schumer./tvklan.al