Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, kërcënoi se ndërhyrja ushtarake ndaj Koresë së Veriut “është një opsion në tavolinë,” teksa tensioni mes dy vendeve është rritur ndjeshëm pas testeve të fundit raketore dhe bërthamore të vendit komunist.  

“Ne nuk duam që gjërat të përshkallëzohen deri në konflikt ushtarak,” tha ai, duke sthuar se “nëse ata avancojnë me programin deri në një nivel që kërkon ndërhyrje, atëherë ky opsion është mbi tavolinë.”

Ai tha se politika amerikane e “durimit strategjik” ndaj Koresë së Veriut ka përfunduar.

Deklarata e fortë vjen gjatë vizitës që ai po zhvillon në Korenë e Jugut.

“Të gjithë opsionet” janë në tavolinë, tha ai, duke shtuar se SHBA-të po shikonin “për një valë të re masash diplomatike, sigurie dhe ekonomike.”

Koreja e Veriut ka shqetësuar të gjithë botën me testet e saj të fundit raketore dhe bërthamore.

Sekretari amerikan i shtetit foli menjëherë pasi vizitoi zonën e çmilitarizuar që ndan Korenë e Jugut me Korenë e Veriut.

Ai tha se bota ishte përpjekur për 20 vite ta bindte Phenianin të hiqte dorë nga programi bërthamor, por kishte dështuar. /tvklan.al