Ka shkaktuar reagime të shumta filmi biografik mbi jetën dhe karrierën e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.

Pas shfaqjes në ekranin e madh, në Turqi dhe Gjermani, filmi i titulluar, “Shefi” është pritur me kritika negative.

Ndërsa përshkruan jetën e trazuar te presidentit turk, filmi është konsideruar si një përpjekje për të ndikuar tek populli turk përpara referendumit shumë të diskutueshëm, mbi reformën kushtetuese, e cila do t’i japë Erdoganit pushtet të pakufizuar.

Deri tani nuk ka asnjë të dhënë sesa ka kushtuar filmi dhe se kush e ka financuar atë. Duke gjykuar nga karriget bosh në kinematë e Stambollit, suksesi financiar i filmit duket i largët, por ndoshta ky nuk ka qenë qëllimi.

Filmi sjell në ekranin e madh jetën e një djali nga Stambolli, i cili ndihmon të varfrit dhe heq dorë nga fëmijëria për të mbështetur financiarisht familjen e tij.

 I ri ai burgoset për besimet e tij, por nuk vonon shumë kur ai zgjidhet kryetari bashkise së Stambollit

Një burrë principesh, kështu tenton ta paraqesë Erdoganin regjisori turk Hüdaverdi Yavuz.

Në 16 prill, Turqia do të votojë për një paketë kushtetuese, e cila do t’i hapë rrugën presidentit Ergodan për një qeverisje të pakufizuar në kohë. Sipas eksperteve, roli i kryeministrit turk do të vijë duke u zbehur gjithnjë e më shumë pas ndryshimit të kushtetutës, ndërsa ai i presidentit do t’i ngjajë një perandori.

Tv Klan