Drejtori i agjecisë amerikane CIA, Mike Pompeo ka kritikuar organizatën WikiLeaks dhe themeluesin e saj, ndërsa i ka akuzuar se ishin “agjenci armiqësore e inteligjencës”, që u përdor nga inteligjenca ushtarake ruse për përzierje në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara.

Këto komente të bëra nga Pompeo në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike në Uashington, ishin pasqyrim i mendimeve për një kohë të gjatë në mesin e ligjvënësve dhe politikbërësve amerikanë për WikiLeaksin dhe themeluesin e saj, Julian Assange.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar, kjo organizatë publikoi në internet email -et e zyrtarëve të Partisë Demokratike dhe të shefit të fushatës së kandidates demokrate, Hillary Clinton.

Agjencitë e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, në muajin Janar thanë se sulmet kibernetike kishin për qëllim dëmtimin e zonjës Clinton dhe përfitim për Donald Trump, i cili përfundimisht i fitoi zgjedhjet.

Zyrtarët amerikanë e kanë akuzuar agjencinë e inteligjencës ushtarake të Rusisë, GRU dhe agjencinë udhëheqëse të sigurisë në Rusi, FSB, se ishin të involvuara në sulmet kibernetike dhe në ndërhyrje të tjera lidhur me zgjedhjet.

Zoti Trump, nga ana e tij, e mbështeti WikiLeaksin gjatë fushatës, duke thënë se kishte kënaqësi që publikoi email -et e Hillary Clintonit./REL