Një 24-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane, i cilësuar si “shefi i madh” i një bande që shpërndante drogë në Bolzano të Italisë.

Ai është Fatmir Muhaj, i cili një vit më parë ishte arrestuar pasi goditi me gotë në kokë një polic italian, por u la në arrest shtëpie.

Kësaj radhe, autoritetet kishin rënë në gjurmët e tij, si personi që furnizonte me marijuanë, hashash dhe kokainë tregun e Bolzanos. Edhe pse në moshë të re, ai është identifikuar si drejtuesi i një bande droge në këtë zonë. Organizata kriminale ishte e mirëorganizuar dhe rolet ishin të përcaktuara. Numri dy i bandës është një tjetër shqiptar, Ilir Nurja 41 vjeç i cilësuar si “xhaxhai”.

Anëtarët e këtij rrjeti e grumbullonin drogën në një apartament, që ishte në përdorim nga një tjetër shqiptar, i quajtur Ergyst Dalipi 24 vjeç. Edhe ky i fundit është arrestuar. Autoritetet italiane thonë gjithashtu se Fatmir Muhaj kishte përfshirë në bandën e tij edhe të dashurën italiane, Giulia Dibello 41 vjeç. Ndaj saj gjykata ka vendosur arrest shtëpie.

/tvklan.al