Të gatuash për artin. Është ky një ndër eventet më prestigjoze italiane, që ka në fokus prezantimin dhe vlerësimin e restoranteve dhe hoteleve më cilësore në vend, duke u sugjeruar turistëve destinacionet më të mira.

Në eventin e organizuar nga Touring Club Italiano, një çmim i veçantë i ka shkuar edhe kuzhinierit shqiptar Fundim Gjepali, i cili është vlerësuar për pjatën e mishit që servir në restorantin e tij “Antico Arco”, ndër më të njohurit dhe më të suksesshmit në Romë.

Shefi shqiptar i kuzhinës, ka arritur të marrë një trofe vlerësimi nga juria e këtij aktiviteti, ku merrnin pjesë përfaqësues të restoranteve dhe kuzhinave më të famshme të Italisë.

Çmimi i dhënë tek kuzhineri shqiptar, vjen nga Witaly, që është sot shtëpia botuese e specializuar në botimin e librave dhe guidave të hoteleve, restoranteve dhe produkteve agro-ushqimore të ekselencës.

Prej 12 vjetësh, në një organizim tepër dinjitoz, që tenton t’i afrojë shefat e kuzhinës me publikun, jepen edhe çmimet për më të mirët.

Por të gjithë ata që nuk mund të shkojnë deri në Itali për të provuar pjatat e rralla të shef Fundimit, mund ta gjejnë tashmë në Tiranë, në “Padam Boutique Hotel & Restaurant”, me një larmi gatimesh delikate dhe të veçanta. Fundim Gjepali është sot një ndër shefat më të suksesshëm shqiptarë, vlerësuar me disa çmime ndërkombëtare. Dy vjet më parë, ai ka fituar edhe “Çmimin e Madh Ndërkombëtar të Kuzhinës Mesdhetare”, duke u zgjedhur si më i miri mes 12 konkurrentëve nga  Europa, Afrika dhe Amerika.

Tv Klan