Në Shqipëri, një në 4 persona vlerësohet se ka probleme të shëndetit mendor. Grupimet më të rrezikuara nga depresioni janë të rinjtë dhe të moshuarit.

Ekspertët thonë se statistikat e spitaleve tregojnë vetëm majën e ajsbergut sa i takon shëndetit mendor.

Njerëzit i ngatërrojnë zakonisht dëmtimet e shëndetit mendror me shqetësimet ditore, thonë mjekët, por përherë e më shumë ata po bëhen më të kujdesshëm.

“Jeta stresante i ka bërë ata të vizitohen më shpesh te mjekët e shëndetit mendor dhe shifrat e vizitave janë rritur”

– thotë Jonida Hoxha, shefe e sektorit të shëndetit mendor në Institutin e Shëndetit Publik.

Grupe profesionale mjekësh dhe psikologësh po kryejnë tani edhe në Shqipëri matje të standartizuara për të përcaktuar grupet sociale më të rrezikuara, që janë përcaktuar të rinjtë dhe të moshuarit.

Studimet thonë se një në 4 persona është i prirur të ketë probleme të shëndetit mendor dhe në fakt janë shumë të përhapura dhe të pranishme, pavarësisht se për to flitet pak. Ndër shkaqet kryesore që dëmtojnë shëndetin mendor renditen prirjet genetike të njeriut si dhe shumë ngjarje të jetës së përditshme.

“Shqipëria ka nisur të bëjë studime profesionale mbi matjen e shëndetit mendor sipas modeleve të BE, dhe jo thjesht bazuar te statistikat e spitaleve, të cilat tregojnë vetëm majat e ajsbergut

”, thotë studiuesi Alban Ylli.

Sistemi shëndetësor shqiptar tani ndihmon më shumë qytetarët për të zbuluar më herët probleme të shëndetit mendor, por vetë shoqëria mund të bëjë më shumë për të parandaluar ose trajtuar më mirë ato./VOA