Arrestohet Preng Përgjoni. Ai dyshohet se është autori i zjarrvënies në Malin e Shëngjinit. Arsyeja e djegies sipas policisë së Lezhës është ripërtëritja e kullotave dhe shfrytëzimi i tyre për kullotjen e bagëtive. 63-vjeçari është i zoti i stanit në afërsi të Malit të Shëngjinit, aty ku edhe u lokalizua vatra e zjarrit.

Pas më shumë se 24 orë beteje me zjarrin, situata në pyjet e Shëngjinit duket se po shkon drejt normalizimit. Ekipet zjarrfikëse thonë se po mbajnë nën kontroll valën e flakëve të ndihmuar nga ajri me një helikopter.

 Flakët që përfshinë masivin pyjor, u afruan resorteve dhe banesave në zonën e njohur si “rana e hedhun”. Shtëllungat e tymit mbërritën deri në bregdet, duke bërë që shumë pushues të largohen.

 Banorët e portit që një natë më parë u evakuuan, janë rikthyer në shtëpitë e tyre. Për të përballuar situatën dhe për të mos lejuar depërtimin e flakëve në zonat e banuara, në vendngjarje mbërritën shtatë ekipe zjarrfikëse dhe forca të shumta të policisë dhe ushtrisë.

Tv Klan