Prokuroria e Tiranës ka regjistruar kallëzimin penal ndaj Jamarbër Malltezit, i akuzuar nga Deputeti Taulant Balla se e ka dhunuar në Aeroportin e Romës. Kallëzimi është regjistruar për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës dhe dëmtime të tjera me dashje dhe në kuadër të tyre po kryhen disa veprime hetimore.

Nëse gjatë këtij hetimi, thonë hetuesit, dalin elementë të veprës penale, atëherë do të regjistrohet procedim për Malltezin.

Prokurorët e Tiranës janë në pritje të ekspertimit mjeko – ligjor të Deputetit Balla, nga ku do të faktohen pretendimet e tij, nëse ka patur dhunë ndaj tij. Nëse do jetë e nevojshme për hetimin do të thirren për t’u pyetur në Prokurori, protagonistët e kësaj ngjarje.

Në kallëzim, Deputeti Balla pretendon se ka qenë duke pritur nisjen e avionit, në tranzitin e Aeroportit “Leonardo Da Vinci” në Romë dhe gjatë kësaj kohe, ai thotë se, pa paralajmërim, është qëlluar me grushta e shkelma nga Jamarbër Malltezi.

Ndërsa ky i fundit ka sqaruar se është provokuar nga Balla, por nuk e ka dhunuar, siç pretendon ai.

Për çështjen ka reaguar edhe Partia Socialiste.

“Grupi ynë parlamentar, i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, që të angazhohen në nje proces hetimor të paanshëm, profesional dhe të shpejtë, në bashkëpunim edhe me agjensitë ligjzbatuese italiane, për ti shkuar deri në fund të vërtetës dhe për ti dhënë ndëshkimin e merituar fajtorëve”,

deklaroi në një dalje për mediat, Deputeti i PS, Alfred Peza.

Për incidentin reagoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani. Ai e cilësoi si gjetje të rilindjes për të mbrojtur veglën e bindur të Kryeministrin Rama, siç e cilësoi ai Taulant Ballën.

Tv Klan