Policia e Durrësit ka goditur një rrjet të shfrytëzimit të prostitucionit, duke arrestuar dy gra dhe ka nisur procedimin në gjendje të lirë për një 44-vjeçar me iniciale G.A.

Të arrestuarat janë Shpresa Pisha 47 vjeç dhe 40-vjeçarja Y.R. Policia bën me dije se Shpresa Pisha, në rolin e organizatores dhe ndërmjetëses kishte marrë me qira një lokal në qytetin e Durrësit.

Ajo ndërmjetësonte me klientët që frekuentonin lokalin e saj duke siguruar lidhjen e tyre më pas me shtetasen Y. R.

Në vijim Shpresa Pisha vinte në dispozicion ambjentet e banesës së saj në Plazh, Durrës për ushtrimin e këtij aktiviteti kriminal kundrejt një shume 5 000 lekë(të reja).

Vijojnë hetimet për zbulimin e autorëve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale:

• ”Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Mbajtja e ambjenteve për prostitucion” në ngarkim të shtetases Shpresa Pisha parashikuar në nenet 114 dhe 115 të Kodit Penal.

• “Prostitucion” në ngarkim të shtetases dhe Y.R. parashikuar në nenin 113 të Kodit Penal.

•”Prostitucion” në ngarkim të shtetasit G.A. parashikuar në nenin 113/a të Kodit Penal.

/tvklan.al