Një i ri nga India, i cili punonte në Arabinë Saudite është burgosur, pasi u ankua për kushtet e punës.

Ky është Abdul Sattar Makandar, një shofer kamioni, emigrant në Arabi. Pak kohë më parë, ai realizoi një video, ku shfaqej duke qarë nga dëshpërimi, për shkak të kushteve të këqija të punës.

Videoja, e cila u postua në rrjete sociale nga aktivisti për të drejtat e njeriut, Kundan Srivastava, u përhap me shpejtësi në Indi.

Në klip, Makandar shfaqet duke qarë dhe thotë:

“Kam 23 muaj që jetoj në Arabinë Saudite dhe kam aplikuar për pushime për të ardhë në shtëpi, 5 muaj më parë. Por punëdhënësi nuk më lë të shkoj në shtëpi… Punëdhënësi më jep një rrogë qesharake dhe as para për ushqim”.

Shumë pak kohë pasi e kishte postuar, aktivisti u detyrua ta hiqte videon nga interneti, pasi u kontakua nga kompania ku punonte Makandar dhe madje i kërkoi edhe ndjesë.

Megjithatë videoja kishte pushtuar rrjetete sociale, duke bërë kështu që Abdul Sattar Makandar, të futej në probleme serioze.

Sipas aktivistit Srivastava, Makandar është arrestuar nga autoritetet saudite, për akuzën e “shpërndarjes së informacioneve të rreme” në rrjete sociale.

Duke folur për “The Independent” Srivastava tha se ai ndodhet në burg dhe se jeta e tij është në rrezik. Aktivisti kërkon ndihmë nga autoritetet indiane për ta liruar punëtorin nga burgu.

Ndërkohë të kontaktuar nga BBC, përfaqësuesi i kompanisë në fjalë tha se ankesat e tij ishin të pavërteta. Ai deklaroi se të gjithë punonjësit kishin të drejtë për leje pas 2 vitesh në punë dhe se Makandar plotësonte këtë pas 6 javësh. Sa i pëket pagesës,  përfaqësuesi i kompanisë tha se është paguar në kohë dhe rregullisht.

Arabia Saudite është kritikuar herë pas here për kushtet e këqija të punës. /tvklan.al