E përditshmja italiane La Stampa, ka publikuar sot lajmin se prokuroria italiane ka nisur hetimin për shit-blerjen e Milanit pasi ka dyshime se është bërë me para të ricikluara dhe se është paguar të paktën 300 milionë euro më shumë se vlera reale.

Por e menjëhershme ishte edhe përgjigja e kryeprokurorit të Milanos Francesco Greco, i cili ka hedhur poshtë pretendimet e medias duke sqaruar se aktualisht nuk ka asnjë hetim ndaj kësaj çështjeje dhe as ndaj palëve të përfshira në transaksion.

31 vjet në familjen Berluskoni, në prillin e 2017 klubi i Milanit kaloi në duart e kinezit Yonghong Li për shifrën 740 milionë euro. Kjo shumë, mënyra se si u gjetën paratë, por edhe hetimet mediatike mbi bizneset e pronarit të ri kinez, kanë qenë edhe më parë nën hije dyshimi se në këtë shitblerje diçka nuk është e qartë.

Në nëntor, “The New York Times” shkoi deri në Kinë ku nuk arriti të kontaktonte as me pronarin kinez të Milanit madje as nuk gjeti zyrat e kompanisë së tij të minierave. Prestigjiozja amerikanë madje shkoi edhe më tej kur shkruante se Yonghong Li, ishte person i panjohur edhe në rrethet e biznesmenëve të minierave jo vetëm në Kinë por edhe jashtë.

Tv Klan