Valë lëvizjesh në Bashkinë e Tiranës, një ditë pasi këshilltarët e LSI-së nuk morën pjesë në votimin për propozimin që rriste me 20 lekë për metër kub, çmimin e ujit në kryeqytet.

Ka qenë vetë kryebashkiaku Erion Veliaj që ka firmosur shkarkimin nga detyra të tre zyrtarëve të kësaj bashkie, të cilët vijnë nga radhët e LSI. Mësohet se është larguar nga detyra drejtori i Ndërmarrjes Numër 3 të kryeqytetit Artjon Caushllari, administratori i Njësisë Farkë Mateo Shaba, si dhe drejtoresha e qendrës sociale në Shkozë Kajame Sinani.

Zyrtarisht nuk bëhen të ditura motivet e shkarkimeve. Pas këtyre lëvizjeve, nënkryetarja e Bashkisë Brunilda Paskali ka dhënë dorëheqjen. Në një dalje nga selia e LSI ajo njoftoi kalimin në opozitë.

Levizja Socialiste për Integrim njoftoi gjithashtu se ka përjashtuar nga grupi i këshilltarëve të saj në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Genta Mezinin dhe Agim Krajën. Vendimi vjen pasi ata bashkuan votat për miratimin e propozimit.

LSI i akuzoi dy këshilltarët për qëndrime korruptive dhe thotë se distancohet qartë dhe prerë prej tyre. Mezini dhe Kraja i kanë hedhur poshtë akuzat e bëra nga LSI.

Tv Klan