Drejtoresha e Burgut 325, që njihet si burgu i Grave në Tiranë, Xhoi Jakaj është shkarkuar nga detyra. Lajmi është bërë i ditur për ABC News nga vetë zonja Jakaj.

Interesimit të ABC News drejtoresha e burgut të grave, iu përgjigj duke saktësuar se i është kërkuar dorëheqja nga ministrja e Drejtësisë Gjonaj. Kjo ka ndodhur pas një interviste në një të përditshme shqiptare, ku drejtoresha Xhoi Jakaj kërkon sensibilizimin e autoriteteve për 4 gra të dënuara me moshë mbi 60-vjeçare, të cilat për shkak të sëmundjeve të rënda që kanë nuk mund të përballojnë jetesën dhe kurimin në kushtet e qelisë.

Zonja Jakaj bën të ditur se nuk e ka pranuar kërkesën e Ministrisë për të dhënë dorëheqjen dhe më pas është shkarkuar pa i dhënë një motivacion. 

ABC News u interesua pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për këtë shkarkim. Kjo e fundit bëri të ditur se nuk e disponon një motivacion për këtë shkarkim. Ndërsa ende nuk ka një përgjigje nga Ministria e Drejtësisë.

/ABC News