Policia greke e rajonit të Atikës deklaroi këtë të mërkurë se ka shkatërruar një organizatë kriminale, e cila ishte aktive në trafikimin e sasive të mëdha të heroinës në tregun e brendshëm grek.

Policia greke tha se arrestoi gjashtë persona, mes të cilëve dy shtetas shqiptarë. Sipas policisë greke më shumë se 65 kilogramë heroinë, si dhe rreth 113 kilogramë pluhur për tjetërsim të drogës janë gjetur të groposura në zonën e jashtme të një shtëpie në Keratea të Atikës.

Policia greke ka shpallur në kërkim dhe një 29 – vjeçar shqiptar, ndërkohë që dyshohet se kreu i organizatës, është një 32 – vjeçar, po nga Shqipëria.

Sipas policisë greke, organizatës i është dokumentuar një përfitim prej 700.000 euro prej trafikut të drogës, ndërkohë që 4 armë, fishekë dhe një sasi prej rreth 95.000 euro janë bllokuar gjatë arrestimeve./VOA