Një grup shqiptarësh, të kthyer në makthin e banorëve të  Cuneo-s, në veri të Italisë, për shkak se grabisnin vila e apartamente, ranë në prangat e policisë italiane.

9 persona, të gjithë shqiptarë, u arrestuan në një operacion të gjatë e të organizuar policor. Arrestimet u kryen në Cuneo, aty ku banda e grabitësve kishte edhe bazën, dhe në Milano.

Shqiptarët akuzohen për vjedhjen e të paktën 18 banesave të kryera nga Nëntori 2016 deri në Shkurt 2017. Sipas mediave italiane, pjesëtarët e bandës merrnin edhe të tjerë shqiptarë, nga jashtë qytetit piemontez, për të kryer goditjet, me qëllim që ata të mos njiheshin në zonë.

Operacioni u kodua me emrin “Robin”, duke marrë shkas nga një postim në rrjetet sociale të njërit prej grabitësve, i cili shkruante se grabiste të pasurit për të ndihmuar të varfrit.

Ishte pikërisht postimi prej “Robin Hood”-i i shqiptarit, që çoi në identifikimin e bandës. Policia sekuestroi 2 makina të vjedhura, sende me vlerë si edhe 40 mijë euro kesh. Autoritetet në vendin fqinj njoftuan se të paktën 5 persona të tjerë janë shpallur në kërkim, si bashkëpunëtorë të grabitësve./Tv Klan