droge-greqi

Policia greke ka goditur dhe shkatërruar një grup kriminal që merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e drogës në qytetin e Patras. 4 persona janë arrestuar, ndër ta dhe një shqiptar i moshës 21 – vjeç. Ndërkohë janë shpallur në kërkim tre persona të tjerë, një grek dhe dy shqiptarë, si të dyshuar se ishin pjesë e kësaj bande.

Mbi të arrestuarit rëndojnë akuzat e krijimit dhe pjesëmarrje në bandë kriminale, transport, trafik dhe posedim droge, si dhe armëmbajtje pa leje.

Policia thotë se ka vërtetuar që banda, nga Nëntori 2014 e deri në fund të Korrikut 2015, u kishte shituar sistematikisht kokainë dhe kanabis 100 përdoruesve të drogës në qytetin e Patras. Të gjithë përdoruesit ishin adoleshentë apo minorenë.

Tre shtetasit grekë që u arrestuan, ishin të ngarkuar me shitjen e drogës në qytetin e Patras.

Sipas policisë, një tjetër shtetas shqiptar, që aktualisht ndodhet në burg i dënuar po për drogë, kishte rol kyç në drejtimin e bandës. Që nga burgu ai mbante gjithë kontaktet me grupe kriminale në Shqipëri, që siguronin furnizimin me drogë.

Rol drejtues kishte edhe 21 – vjeçari shqiptar, që figuron si pronar i tre shtëpive në Patra. Gjatë kontrollit në këto tri shtëpi, por edhe në banesat e të arrestuarve të tjerë, u gjetën dhe u sekuestruan: 137,8 gramë marijuanë, 5 fidanë kanabis sativa që i kultivonin në saksi, 2 pistoleta, 2.185 euro, telefona celularë, armë të ftohta.

Tv Klan