HELIKOPTERIMinistrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, sërish hesht për shkeljen e ligjit në lidhje me përdorimin e mjeteve dhe efektivëve të Forcave të Armatosura në aksione policore të rrezikshme.

Në deklaratën e saj dhënë si përgjigje ndaj qendrimit të opozitës për të njëjtën çështje, Znj.Kodheli nuk pranon në asnjë moment të shprehet rreth ligjshmërisë së përdorimit të mjeteve të ushtrisë në aksionet anti-drogë në Lazarat dhe Dukagjin. Por thotë se sërish në të ardhmen do e bëjë një të tillë.

Pra, pavarësisht se e pranon tërthorazi që nuk ka asnjë bazë ligjore ku është mbështetur deri tani në përdorimin e paligjshëm, abuziv dhe tepër të rrezikshëm të forcave dhe mjeteve të ushtrisë në aksione të mirëfillta policore, ajo pranon se një gjë të tillë do ta bëjë sërish në të ardhmen. Pra, ligji për Znj, Ministre të Mbrojtjes nuk ekziston ndaj dhe respektimi i tij nuk është punë e saj.

Me komunikata në formë thashethemesh Ministrja e Mbrojtjes hedh hipoteza për shkelje të ligjit nga të tjerët, duke harruar pikërisht të përgjigjet si për provat e publikuara nga mediat ashtu dhe nga akuzat e ngritura nga  opozita pikërisht ndaj saj.

Fakti është tepër i thjeshtë. Helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, është përdorur në aksione policore të rrezikshme në disa raste, pa një vendim të qeverisë apo pa një tjetër bazë ligjore që rregullon bashkëpunimin reciprok mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme.

Të dy ministrat kanë rënë dakort për përodrimin e mjeteve dhe forcave të ushtrisë në këto aksione vetëm në formë verbale dhe po në këtë formë janë dhënë dhe urdhërat për ushtarakët, duke i detyruar ata të shkojnë në aksione për të cilat nuk kanë marrë trajnimin përkatës.

Helikopteri Cougar i Forcës Ajrore , është goditur me dy plumba në operacionin anti-drogë në fshatrat e Dukagjinit. Duke rrezikuar të shpërthente në ajër bashkë me 20 efektivë të repartit special të policisë RENEA dhe ushtarakët që drejtonin helikopterin, pasi pulmbat kanë prekur zonën afër serbatorit.

Nëse aksidenti i rëndë do të kishte ndodhur dy ministrat, Kodheli dhe Tahiri do të mbanin përgjegjësi penale për humbjen e jetëve njerëzore.

Ndaj është e pakuptueshme se si Ministria e Mbrojtjes dhe kreu i saj në veçanti,  nuk e pranon se ka vepruar  në shkelje të të gjitha protokolleve teknike të përdorimit të mjeteve dhe efektivëve të ushtrisë, madje duke u rrezikuar edhe jetën atyre.

Një tjetër shkelje e rëndë, është edhe fakti i krijimit të dëmit financiar të krijuar pas përdorimit të këtyre mjeteve të ushtrisë jashtë misionit të tyre të përcaktuar në ligjin për Forcat e Armatosura.

5.000 euro në një orë fluturim  shpenzon helikopteri Cougar , dhe rreth 3.000 euro shpenzon helikopteri tjetër AB,  të  përodrur në këto operacione.

Shpenzime të cilat në fakt dikush duhet të japë llogari pse janë shpenzuar jashtë kritereve të përcaktuara. Edhe përdorimi i helikopterit Cougar, pasi ishte qëlluar me dy plumba, në operacione të tjera pa u kontrolluar më parë nga specialistët e fabrikës së prodhimit Eurocopter,  është një tjetër shkelje e protokollit të sigurisë së tij. Dhe sërish , shkelës ligjorë deri më tani nuk ka.

Tv Klan