Një vend në formacionin më të mirë dhe në garë për golin më të bukur të javës.

Shkëlzen Gashi vazhdon të jetë protagonist në kampionatin amerikan, pas dy golave të shënuar në sfidën e fundit të Kolorado Rapids.

Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare ndihmoi skuadrën e tij në barazimin 3 – 3 në transfertë kundër Vankuver.

Futbollisti gjeti në fillim rrugën e rrjetës nga pika e 11 – metërshit.

Më pas shënoi edhe golin e dytë personal me një goditje spektakolare.

Pikërisht, ky gol është edhe në garën për atë më të bukurin e javës së 29-të të kampionatit amerikan të futbollit.

Por në pritje të vendimit, që do të merret pas votimit të tifozëve, Shkëlzen Gashi mund të shijojë një tjetër sukses personal.

Ai është vendosur në formacionin ideal të javës, duke u vendosur përkrah sulmuesit spanjoll David Vija dhe lojtarëve të tjerë të spikatur në javën e fundit të Ligës Amerikane të Futbollit.

Të gjitha këto konfirmojnë formën e shkëlqyer që po kalon Shkëlzen Gashi në sezonin e dytë me Kolorado Rapids.

Në këtë kampionat, futbollisti i Kombëtares Shqiptare ka realizuar shtatë gola.

Tv Klan