Çështja e dënimit 10-vjeçar të Skënderbeut nga UEFA pati të enjten zhvillimin e radhës. Përfaqësues të klubit korçar, lojtarë dhe ish-lojtarë dëshmuan para Komisionit të Apelit. Mes tyre ishte edhe ish-kapiteni Bledi Shkëmbi, i cili rrëfen për Tv Klan se ku konsistuan pyetjet e Apelit.

 “Ishte një seancë normale pyetje-përgjigje, ku unë u pyeta në qoftë se kisha dijeni për atë që flitej, në qoftë se kisha parë gjë, normale përgjigjet ishin jo”.

Shkëmbi beson në pastërtinë e ekipit ku pati kulmin e karrierës si futbollist dhe flet për padrejtësi ndaj skuadrës korçare.

 “Nuk ishte një ndjesi e mirë, por duhet ta bëja dhe e bëra me dëshirë, sepse mendoj që të gjithë e dimë dhe jemi dakord, që është diçka e padrejtë që po i bëhet Skënderbeut”.

Komisioni i Apelit të UEFA-s pritet të japë një vendim javën e ardhshme, por shpresat më të mëdha për drejtuesit të Skënderbeut mbështeten te Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit Sportiv. Nëse do të duhet, çështja do të shkojë deri në Gjykatën Federale në Zvicër.

Tv Klan