Editorial – “The Telegraph”

Marrëdhënia e Gjibraltarit* me Britaninë dhe Europën, në rastin më të mirë, është e komplikuar. Territori iu bashkua kurorës mbretërore në vitin 1713 si pjesë e Traktatit të Utrehtit, i cili i dha fund luftës së vazhdimësisë spanjolle. Sovraniteti britanik u konfirmua në Traktatin e Seviljes (1729) dhe Traktatin e Parisit (1783).

Pozita gjeografike e Gjibraltarit në hyrje të Mesdheut ka qenë e një rëndësie strategjike për Mbretërinë e Bashkuar për më shumë se 300 vite. Sot, Gjibraltari është pjesë e BE-së por jo e Britanisë së Madhe. Ai është në Tregun e Përbashkët Europian por jo në unionin e doganave. Gjibraltari është përjashtuar nga Politika e Përbashkët Agrikulturore dhe është jashtë zonës Shengen. Njerëzit e tij ishin dikur banorë të territoreve jo britanike ndërsa tani janë shumica britanikë. Dhe teksa votuan me shumicë dërrmuese qershorin e kaluar për të mbetur në BE, për ta funksionon rezultati i përgjithshëm i Britanisë së Madhe për të lënë Unionin.

Spanja prej kohësh ka ushqyer një dëshirë për ta rimarrë këtë territor, një politikë kjo e zhvilluar edhe gjatë kohës së Frankos, por që ende mbetet në fuqi. Periodikisht, spanjollët kanë mbyllur kufirin apo vendosur kontrolle strikte për të fituar pikë. Megjithatë, pavarësisht të gjitha kompleksiteteve të trashëguara nga historia, një fakt i thjeshtë mund të kuptohet lehtësisht: Gjibraltarianët dëshirojnë të mbeten britanikë. Ata e kanë bërë këtë të qartë në dy referendume.

Vetëvendosja e njerëzve është një princip fondamental në ligjin ndërkombëtar mishëruar në artikullin e parë të Kartës së OKB-së. Poashtu, është përqafuar nga BE-ja si “një shtyllë kryesore e sistemit ndërkombëtar”. Kështu që është komplet e papranueshme për të ardhmen e Gjibraltarit që të jetë e lidhur me Brexitin, siç duket nga udhëzimet e hartuara për negociatat e ardhshme BE-Britani. Një pjesë në draft-dokumentit i jep të drejtë Spanjës të vendosë veto ndaj bisedimeve të ardhshme Bruksel-Londër nëse Madridi nuk është i kënaqur me marrëveshjet që bëhen për Gjibraltarin.

Mosmarrëveshjet mes Britanisë dhe Spanjës për Gjibraltarin vazhdojnë prej shumë kohësh por kjo është një çështje bilaterale dhe jo një çështje që BE-ja duhet të përfshihet. Ministri i Jashtëm i Spanjës u tall me përjetimet e Luftës Flaklands (afër Argjentinës) në vitin 1982 për të paralajmëruar kundër nëpërkëmbjes së sovranitetit, por principi i vetëvendosjes është i njëjtë siç ishte edhe atëherë.

Gjatë samitit që do të mbahet më vonë gjatë muajit për të rënë dakord mbi termat e negociatave për Brexit, këshilli i ministrave duhet të këmbëngulë që kjo masë fatale të hiqet.

Shqipëroi: tvklan.al

*Gjibraltari, me sipërfaqe 6.7 km katror dhe 30 000 banorë, ndodhet në pjesën fundore të gadishullit Iberik. Në kufirin verior ndahet me Spanjën, por është territor britanik që pretendohet edhe nga Madridi.