Kualifikimi i Skënderbeut në grupet e Europa League nuk është një rastësi. Për ish-kapitenin e kësaj skuadre, Bledi Shkëmbi, investimi sportiv ka nisur prej 7 vitesh.

Nuk është asgjë e rastësishme te këto rezultate që ka Skënderbeu, aq më tepër në Europë, sepse Skënderbeu ka shtatë vjet që përgatitet dhe synimet i ka shumë të larta. Kjo ka bërë që të ketë suksese të mëdha siç ishte edhe ky i tanishmi duke kaluar Dinamon”

, shprehet Shkëmbi.

Po cilat janë arsyet që korçarët u kualifikuan? Analizën e bën ish-mbrojtësi i kombëtares, Adrian Aliaj, një prej njohësve më të mirë të futbollit kroat.

“Fitoi skuadra më e mirë, fitoi skuadra që donte më shumë të fitonte, skuadra që ishte më e organizuar, skuadra që besoi më shumë te kalimi dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për të gjithë shqiptarët dhe futbollin shqiptar Skënderbeu mori hak për eliminimin dy vite më parë nga play-off i Champions Legaue, pikërisht nga skuadra kroate”,

thotë Aliaj.

“Para dy vjetësh ishte një Dinamo më e fortë, por kjo nuk zbeh fare meritat e ekipit që kaloi katër ture dhe hyn në grupet e Europa League si asnjë herë më parë nga një ekip shqiptar”

, shtoi Shkëmbi.

“Para dy viteve ishte një ndeshje tjetër, pas dy vitesh ishin dy ndeshje komplet tjetër. Dinamo për momentin ka shumë probleme, në bordin e klubit, në ekip, në ndryshimin e trajnerëve dhe them se ishte rast shumë i mirë për Skënderbeun që e shfrytëzoi dhe meritoi kualifikimin”,

tregon Aliaj.

Për Adrian Aliajn, Skënderbeu duhet të shërbejë si shembull për të gjitha klubet shqiptare.

“Sidomos për klubet shqiptare është një arritje shumë e madhe, është një tregues shumë i rëndësishëm, për vazhdimësinë, për strukturat e klubeve shqiptare, si duhet të funksionojnë, si duhet të rrisin lojtarët, si duhet të jenë ambiciozë dhe të drejtojnë, kështu që Skënderbeu është shembulli më i mirë”,

shprehet Aliaj.

Tv Klan