robotet vrases

Gara e “robotëve vrasës”, “dronët” apo “armët me inteligjencë artificiale” duhet të ndalohen”. Mbi 1000 ekspertë të teknologjisë, shkencëtarë dhe kërkuese kanë shkruar një letër, e cila paralajmëron rrezikun e tyre.

Mes firmëtarëve janë: astrofizikanti Stefën Houking, sipërmarrësi Ilan Mask,  bashkëthemeluesi i Apple, Stivi Vozniak, profesori i filozofisë Noam Comski, shefi për Inteligjencen Artificiale në Google, Demis Hasabis dhe eksperti i vetedijes Daniel Denet. Letra do të prezantohet në konferencën ndërkombëtare mbi Inteligjencën Artificiale që zhvillohet në Buenos Ajres, por është publikuar online nga Instituti për Jeten e Ardhme (FLI). “Robotët vrasës” janë aktualisht në qendër të debateve, madje edhe në komisionet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila po shqyrton mundësinë, për të ndaluar disa lloje të armëve autonome.

“Armët autonome mund të kryejnë detyra të tilla si; vrasje, të destabilizojnë kombe, të nënshtrojnë popuj dhe të bëjnë vrasjen selektive të një grupi të caktuar etnike. Ne besojmë- shkruhet në letrën e shkencetarëve të botës- se gara e armëve me inteligjencë artificiale nuk i shërben njerëzimit”.

Në një intervistë ekskluzive për BBC-në, profesori Houking ngriti shqetësimin se Inteligjenca Artificiale do të thotë fundi i njerëzimit. “Njerëzit, të kufizuar nga evolucioni i ngadaltë biologjik, nuk mund të konkurrojnë me inteligjencën artificiale, tha ai dhe shumë shpejt do të zevendësohen prej saj”.

Tv Klan