Një grup kërkuesish ka nisur një mesazh në drejtim të Yllit Luyten që ndodhet 12.4 vjet dritë larg nesh. Përgjigja, nëse atje ka jetë, pritet të mbërrijë në më pak se 25 vjet. Mesazhi është dërguar nga METI, që kujdeset për komunikimet e formave të inteligjencës aliene. Gjuha e përdorur bazohet në një komunikim matematikor që konsiderohet nga ne si universal.

Planeti të cilit i është dërguar mesazhi është zbuluar prej pak kohësh dhe bën pjesë në listën e atyre që ndodhen më pranë Tokës dhe që potencialisht mund të ketë kushtet për zhvillimin e jetës.

Presidenti i METI Douglas Vakoch ka thënë se janë dashur vetëm 8 orë që të bëhej e mundur nisja e mesazhit nga një antenë e pozicionuar në Norvegji. Mesazhi i nisur është shumë i thjeshtë dhe lehtësisht i identifikueshëm nëse përtej Tokës do të kishte jetë inteligjente. Gjithsesi rreth 98 % e shkencëtarëve që bëjnë pjese në METI, përfshirë edhe Stephen Hawking, janë shprehur kundër tipologjisë së këtyre mesazheve për botë të reja.

Klan Plus