Një person i shpallur në kërkim është arrestuar nga policia pasi akuzohet për vrasje me dashje e mbetur në tentativë. Në pranga gjithashtu ka rënë edhe bashkëpunëtori i tij.

Sektori kundër Krimeve të Rënda në Policinë e Shkodrës, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative në bashkëpunim me forcat e Policisë Lezhë, gjatë ditës së sotme në vendin e quajtur Ishull, Lezhë bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit, Ilir Hallunaj 45 – vjeç, banues Shkodër.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka filluar proçedimin penal ndaj tij për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.

Ngjarje kjo e ndodhur më datë 19.03.2016, në lagjen “Ahmet Haxhia”, Shkodër ku shtetasi Ilir Hallunaj ka tentuar të vrasë me armë të ftohtë “thikë” shtetasin me iniciale B. G. 50 – vjeç, banues në Shkodër.

Gjithashtu është ndaluar edhe përkrahësi i autorit të krimit, Shpëtim Qerimi 43 – vjeç, banues në Ishull, Lezhë, i cili e ka fshehur dhe strehuar për disa ditë në banesën e tij në Ishull, Lezhë, autorin e krimit shtetasin Ilir Hallunaj.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, në ngarkim të shtetasit Ilir Hallunaj për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje të armëve të ftohta”, ndërsa në ngarkim të shtetasit Shpetim Qerimi për veprën penale “Përkrahje të autorit të krimit”./tvklan.al